Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut.
Zyrtarët e lartë të shtetit kosovar akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.
Serbia i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare. Sulmi është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Presidenti Aleksandër Vuçiç tha se Serbia nuk ka lidhje me sulmin e ndodhur dhe nuk ka asnjë qëllim që të justifikojë veten.
“Do t’u drejtohem qytetarëve, por edhe opinionit ndërkombëtar dhe do t’ju shpjegoj saktësisht se kujt dhe pse është dashur ky incident në komunën e Zubin Potokut, pse Kurti dhe Sveçla është dashur të gënjejnë shumë dhe me nervozizëm. Do bëj pyetje edhe për ndërkombëtarët dhe pres përgjigje konkrete. Serbinë nuk do ta thyeni me gënjeshtra!,”-shkruan Vuçiç në postimin e tij.
Edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e ka dënuar dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë.
Të shtunën, autoritetet kosovare kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në këtë pjesë të Kosovës.
Një nga personat e arrestuar për sulmin terrorist në Zubin Potok është gazetari i një media serbe, “Kosovo Online”.