“Sulmi mbi Iran, një nga më të suksesshmit në histori”, Trump: Nuk duam ndryshim të regjimit. Ja çfarë i thashë Putinit

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar sërish ndaj raportimeve që vënë në dyshim efektivitetin e sulmeve ajrore amerikane mbi objektet bërthamore iraniane, duke i quajtur ato “një nga sulmet më të suksesshme në histori”.

Duke folur për gazetarët gjatë një udhëtimi me avionin presidencial, Trump deklaroi se të tre centralet bërthamore të Iranit u goditën në mënyrë perfekte dhe u shkatërruan plotësisht, duke hedhur poshtë raportet që sugjeronin të kundërtën.

Ai kritikoi ashpër edhe median amerikane, duke e quajtur mbulimin e saj “shumë të pahijshëm” ndaj atyre që realizuan sulmet. Në rrjetet sociale, Trump akuzoi disa media se po përpiqen të “poshtërojnë një nga operacionet ushtarake më të suksesshme ndonjëherë”.

 

Megjithëse retorika e tij ndaj Iranit ishte e ashpër, Trump u shpreh se nuk mbështet një ndryshim regjimi në vendin islamik.

“Do të doja që gjithçka të qetësohej sa më shpejt të ishte e mundur. Ndryshimi i regjimit sjell kaos – dhe ne nuk duam aq shumë kaos”, tha ai.

Trump zbuloi gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin e kishte kontaktuar për të ofruar ndihmë në menaxhimin e krizës me Iranin. “I thashë: ‘Jo, nuk kam nevojë për ndihmë me Iranin. Kam nevojë për ndihmë me ty’”, tha Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi bisedën.

Deklaratat e ish-presidentit vijnë në një moment delikat për stabilitetin rajonal, pas tensioneve të përshkallëzuara mes SHBA-së dhe Iranit, dhe pas përplasjeve mediatike mbi pasojat e goditjeve ajrore të fundit.