Sulmi kamikaz në Kishën Ortodokse, grupi xhihadist merr përgjegjësitë

Një grup xhihadist i panjohur, “Saraya Ansar al-Sunna” (“Brigada e Mbështetësve Suni”), mori përgjegjësinë sot, të martën, më 24 qershor, për sulmin vetëvrasës të dielën në Kishën Ortodokse të Profetit Elia në Damask, i cili vrau të paktën 25 besimtarë dhe plagosi 63 të tjerë.

Në një mesazh të postuar në mediat sociale, grupi pretendoi se sulmi ishte në shenjë hakmarrjeje për atë që e përshkroi si ” provokime nga të krishterët në Damask “. Ai kërcënoi me sulme të mëtejshme, përfshirë bomba vetëvrasëse. Në të kaluarën, grupi ka bërë kërcënime kundër të krishterëve, alavitëve, druzëve dhe myslimanëve shiitë.

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sarrah, u zotua të hënën (23/6) se ata që janë përfshirë në sulmin “e neveritshëm” ndaj kishës do të nxirren para drejtësisë. Autoritetet islamiste të Sirisë fajësuan drejtpërdrejt grupin xhihadist të Shtetit Islamik për sulmin dhe njoftuan arrestime të hënën si pjesë e një operacioni sigurie.

Autoritetet siriane kanë akuzuar një anëtar të organizatës xhihadiste sunite si autor të sulmit vetëvrasës kundër kishës së Profetit Elia.

Sipas Ministrit të Brendshëm Anas Khattab, u krye një operacion kundër “qelizave të organizatës terroriste Shteti Islamik”. Ministria theksoi se hetimi është duke vazhduar dhe të gjithë autorët do të ndëshkohen.

Por në deklaratën e saj, Saraya Ansar al-Sunna – e cila ka disa qindra ndjekës në Telegram – e hodhi poshtë këtë version, duke e quajtur atë “të rremë dhe të sajuar”. Ai mori përgjegjësinë për një sulm në shkurt në fshatin Arzeh, në provincën Hama, dhe ka kërcënuar individë të lidhur me organizatën joqeveritare “Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut”.