“Sulmet tona në Iran, si Hiroshima”/ Trump: I dhamë fund luftës! Gjëja e fundit që mendojnë tani është pasurimi i uraniumit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë deklarata të forta nga samiti i NATO-s në Holandë, duke krahasuar sulmet ajrore të fundit ndaj Iranit me bombardimet bërthamore të Hiroshimës dhe Nagasakit në Luftën e Dytë Botërore.
Në një prononcim për mediat, Trump tha se goditjet amerikane kishin për qëllim t’i jepnin fund luftës dhe e krahason ato me aktin ekstrem që solli kapitullimin e Japonisë në vitin 1945.
“Nuk dua të përdor shembullin e Hiroshimës. Nuk dua të përdor shembullin e Nagasakit, por kjo ishte në thelb e njëjta gjë që i dha fund asaj lufte. Kjo i dha fund luftës. Nëse nuk do ta eliminonim atë, ata do të ishin duke luftuar tani,” – deklaroi Trump.
Ai theksoi se pasojat e sulmeve amerikane kanë qenë shkatërruese për objektet bërthamore të Iranit dhe se vendi tani është kthyer dekada pas në ambiciet për pasurimin e uraniumit.
“Nuk mendoj se do ta bëjnë ndonjëherë përsëri,” – tha ai, duke iu referuar përpjekjeve të Iranit për të zhvilluar një program bërthamor. “Ata thjesht kaluan nëpër ferr. Mendoj se e kanë përjetuar. Gjëja e fundit që duan të bëjnë tani është të pasurojnë uraniumin.”
Trump njoftoi gjithashtu se është në pritje të një raporti zyrtar nga Izraeli lidhur me vlerësimin e dëmeve në terren, të cilat, sipas tij, do të vërtetojnë se goditjet kanë rezultuar në një “zhdukje totale” të infrastrukturës bërthamore iraniane.