Protesta e opozitës para Kryeministrisë ka nisur me tensione, teksa disa protestues kanë hedhur shashka në drejtim të kordonit policor. Protesta masive, e thirrur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, synon të denoncojë korrupsionin dhe abuzimet e qeverisë, pas akuzave të forta të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Berisha në podium, protestuesit “plagosin” tre efektivë të policisë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është ngjitur në podium për të mbajtur fjalën e tij përpara mijëra mbështetësve të opozitës në protestën para Kryeministrisë.
Gjatë momentit të fjalimit të Berishës, situata ka dalë jashtë kontrollit për disa minuta, pasi disa protestues kanë hedhur kapsolle dhe tymuese në drejtim të Kryeministrisë. Kapsollet kanë rënë mbi kordonin e forcave të rendit.
Si pasojë e hedhjes së kapsolleve, tre efektivë të policisë kanë mbetur të lënduar. Një efektiv në sy, një në dorë dhe tjetri në fytyrë.
Pavarësisht tensioneve, protesta ka vijuar, ndërsa Berisha ka bërë thirrje për të mos u larguar dhe për të vazhduar qëndresën kundër qeverisë.
Protesta zhvillohet vetëm 100 ditë para zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa opozita ka ndryshuar formatin e tubimit, duke shmangur bllokimin e rrugëve dhe aktet e mosbindjes civile të përdorura në protestat e mëparshme. Situata në terren mbetet e monitoruar nga forcat e rendit, ndërsa protestuesit vijojnë qëndrimin e tyre para Kryeministrisë.