Sulm me thikë në memorialin e Holokaustit në Berlin, një person plagoset rëndë

Një sulm me thikë ka ndodhur pranë memorialit të Holokaustit në Berlin, duke lënë një person të plagosur rëndë. Lajmi është konfirmuar nga mediat gjermane, të cilat raportojnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 me orën lokale.

Sipas gazetës Tagesspiegel, autoritetet gjermane kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë hetime intensive për të zbuluar rrethanat e sulmit dhe identitetin e autorit, i cili mbetet ende i panjohur.

Policia gjermane, në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X (ish-Twitter), ka bërë të ditur se viktima është dërguar me urgjencë në spital për trajtim. “Rreth orës 18:00 një burrë u plagos rëndë nga një person i panjohur. Hetimet janë në vazhdim,” thuhet në njoftim.

Punonjësit e shpëtimit ndodhen në vendin e ngjarjes, duke ofruar ndihmë për disa dëshmitarë që ishin të pranishëm në momentin e sulmit dhe kanë mbetur të traumatizuar nga ajo që panë.

Ende nuk ka informacione të detajuara mbi motivet e këtij sulmi dhe autoritetet po vijojnë hetimet për të hedhur dritë mbi incidentin.