Sulm me thikë dhe çekiç pranë Kullës Eiffel në Paris, një i vdekur dhe dy të plagosur

Një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën pasi një burrë sulmoi turistët me thikë dhe çekiç në qendër të Parisit pranë Kullës Eiffel. Policia arrestoi menjëherë 26 vjeçarin francez. Në fillim ai sulmoi një çift turistësh me thikë pak metra larg Kullës Eiffel, duke plagosur për vdekje një shtetas gjerman.

Më pas ai u ndoq nga policia dhe sulmoi dy persona të tjerë me një çekiç përpara se të arrestohej. I dyshuari kishte bërtitur “Allahu Akbar” para se të kryente sulmin ndërsa i tha policisë se ishte i mërzitur me situatën në Gaza dhe se ‘shumë myslimanë po vdisnin në Afganistan dhe në Palestinë’.

I dyshuari ishte dënuar me katër vjet burg në vitin 2016 për planifikimin e një sulmi tjetër dhe ishte në listën e vëzhgimit të shërbimeve franceze të sigurisë, si dhe njihej gjithashtu për çrregullime psikiatrike.

Incidenti i së shtunës mbrëma ndodhi më pak se tetë muaj përpara se kryeqyteti francez të presë Lojërat Olimpike dhe mund të ngrejë pikëpyetje në lidhje me sigurinë në ngjarjen sportive globale.