Kryeministri Edi Rama iu përgjigj përmes një videomesazhi investigimit të RAI3 lidhur me marrëveshjen e refugjatëve mes dy qeverive, por edhe akuzave për bashkëpunim me krimin. Kreu i qeverisë u shpreh se gazetarët italianë të RAI-t e kishin me qeverinë e tyre dhe kryeministren Giorgia Meloni, port shtoi se dëmin ia bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjithashtu, kryeministri sulmoi opozitën dhe liderin e saj, Sali Berisha se qëndron pas akuzave që synojnë të përbaltin vendin. Investigimin Rama e quajti sërish të neveritshëm dhe pa asnjë lloj fakti.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Rama kërkoi që të braktiset tentativ që po bëhet sipas tij për të dëmtuar vendin.
“Unë e kam me të gjithë shqiptarët e zakonshëm dhe e kam të thjeshtë fare: Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza të politikës së tyre. Shumica që i ka braktisur prej kohësh duhet të bëhet gati për t’i shkatërruar fare me votë në ditën e afërt të gjykimit popullor. Pakica që ende nuk i ka braktisur, është në të drejtën e Zotit të mos bashkohet me shumicën nëse nuk do, po jo të vejë më pas tyre, sepse ata nuk i duhen as dreqit, jo më Shqipërisë! Ata janë mishërimi i shpirtit të së keqes që po del nga jeta e Shqipërisë, duke u çjerrë në përpëlitjet e fundit. Ky vend ka kry punë me atë shpirt të keq që e persekuton qysh prej vitit 1912. Shqipërinë nuk e ndal më asgjë dhe nuk ia përcakton më të ardhmen askush, përveç nesh, shqiptarëve. Kokën lart dhe vetëm përpara!“, tha kryeministri.