Sulm kibernetik ndaj “X”, Elon Musk: Erdhi nga Ukraina, një grup hakerësh mori përsipër sulmin

Platforma sociale “X” (ish-Twitter) u përball me një sulm masiv kibernetik të hënën, duke shkaktuar probleme serioze me aksesin për përdoruesit në mbarë botën.

Pronari i “X”, Elon Musk, në një intervistë për “Fox Business Network” pas rikthimit të pjesshëm të funksionimit të platformës, deklaroi se sulmi kishte origjinën nga Ukraina. “Nuk jemi ende të sigurt për të gjitha detajet, por ka pasur një sulm masiv kibernetik që synonte të rrëzonte ‘X’, me adresa IP që vinin nga rajoni i Ukrainës,” tha Musk.

Ndërkohë, grupi i hakerëve Dark Storm mori përsipër përgjegjësinë për sulmin. Sipas kompanisë së sigurisë kibernetike SpyoSecure, drejtuesi i Dark Storm u shpreh se sulmi ishte një DDOS (Distributed Denial of Service), një metodë që mbingarkon serverët duke i bërë të papërdorshëm për përdoruesit.

Megjithatë, raportet e sigurisë tregojnë se ky grup nuk është i vendosur në Ukrainë, ndonëse Musk kishte pohuar më herët se sulmi kishte ardhur nga një burim me “resurse të konsiderueshme”. Autoritetet e sigurisë kibernetike dhe ekipi i “X” po punojnë për të garantuar stabilitetin e platformës dhe për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.