“Sulm i tmerrshëm”/ Trump reagon pas bombardimeve ruse që vranë 34 persona në Ukrainë: Me thanë se ishte gabimisht…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ndaj sulmit të përgjakshëm rus në qytetin Sumy të Ukrainës, ku u vranë të paktën 34 persona dhe u plagosën 117 të tjerë, përfshirë fëmijë. Ngjarja ndodhi më 13 prill, në orët e paradites, kur dy raketa balistike goditën qendrën e qytetit, pikërisht në momentin kur qytetarët ishin mbledhur për të festuar të Dielën e Palmave.

Duke folur për mediat, Trump e cilësoi ngjarjen si “të tmerrshme” dhe deklaroi se ishte informuar për një “gabim” të mundshëm nga pala ruse.

“Unë mendoj se është e tmerrshme. Unë u informova se ata kishin bërë gabim. Por unë mendoj se është një gjë e tmerrshme,” tha ai, pa dhënë më shumë detaje mbi natyrën e këtij “gabimi”.

Reagimi i Trump u shoqërua edhe me një deklaratë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, ku zëdhënësi Brian Hughes theksoi se ky sulm tragjik tregon se përpjekjet për t’i dhënë fund luftës janë më të nevojshme se kurrë.

“Sulmi raketor në Sumy është një kujtesë e qartë se përse përpjekjet e Presidentit Donald për t’i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme vijnë në një kohë kritike,” deklaroi Hughes.

Ndër të vrarët në Sumy ndodhen edhe dy fëmijë, ndërsa mes të plagosurve janë të paktën 15 fëmijë të tjerë. Sipas autoriteteve ukrainase, raketat goditën zonën civile në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke shkaktuar shkatërrim të madh dhe panik te banorët.