Sulm i rëndë rus në Ukrainë! Të paktën 20 të vrarë në Sumy, Zelensky: Bota të reagojë

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me raketë të ushtrisë ruse në qytetin Sumy të Ukrainës, në një prej goditjeve më të rënda ndaj civilëve kohët e fundit. Lajmi u konfirmua nga kryetari i përkohshëm i qytetit, Artem Kobzar, i cili theksoi se viktimat janë kryesisht civilë dhe operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në vijim.

Sipas Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, raketa ruse goditi një rrugë të zakonshme qyteti, ku ndodheshin shtëpi banimi, institucione arsimore dhe makina. Ai e cilësoi sulmin si “të tmerrshëm” dhe theksoi se “raportet e para flasin për dhjetëra civilë të vrarë apo të plagosur”.

Zelensky bëri thirrje për një reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar: Bota duhet të reagojë me forcë. Ajo që është e nevojshme është një qëndrim ndaj Rusisë, e ai duhet të jetë i tillë, që një terrorist e meriton.

Autoritetet ukrainase dhe ekipet e emergjencës po punojnë intensivisht për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat, ndërsa bilanci i viktimave mund të rritet në orët në vijim.