Sulm i përgjakshëm në stacionin e trenit në Hamburg: 17 të plagosur, 4 në gjendje kritike – arrestohet autorja
Një sulm tronditës me thikë ndodhi të premten pasdite (23 maj) në stacionin kryesor të trenit në Hamburg, Gjermani, duke lënë pas 17 persona të plagosur, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Autoritetet gjermane kanë konfirmuar se autorja e dyshuar është një grua 39-vjeçare, e cila u ndalua dhe arrestua në vendngjarje.
Incidenti ndodhi rreth orës 18:00, në platformën 13/14 të stacionit, një nga më të frekuentuarit në Gjermani, ku çdo ditë kalojnë mbi 500 mijë persona. Sulmi shkaktoi panik dhe kaos në mesin e udhëtarëve, teksa shumë dëshmitarë raportuan ulërima dhe skena të frikshme.
Sipas policisë, disa nga të plagosurit u trajtuan në vendngjarje, ndërsa të tjerët u dërguan me urgjencë në spital. Gjendja e katër prej tyre është shumë e rëndë dhe kërkon ndjekje intensive mjekësore.
Ende nuk është bërë publik identiteti i sulmueses dhe autoritetet po hetojnë për të zbuluar motivacionin e mundshëm pas aktit. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një incident të izoluar, ku autorja ka vepruar e vetme.
Një grua dëshmitare e ngjarjes, e cituar nga gazeta Abendblatt, tha: Për fat të mirë nuk mbaja kufje, kështu që i dëgjova të gjithë duke bërtitur. Pastaj të gjithë ikën me vrap.