Studiuesi Taulant Muka akuza presidentit Bajram Begaj/Ka kopjuar 100% një leksion të Shoqatës së Mjekësisë Obstetrike të Amerikës së Veriut
Studiuesi Taulant Muka ka denoncuar presidentin Bajram Begaj për një studim plagjaturë që ka publikuar. Sipas tij, Begaj për një studim të tijin ka kopjuar 100% një leksion të Shoqatës së Mjekësisë Obstetrike të Amerikës së Veriut.
Ky denoncim i Mukës ka ardhur pasi Begaj ka njoftuar dekretimin e rektorëve të universiteteve, për të cilët studiuesi thotë se janë të përfshirë në skandale plagjiature, siç është rasti i Artan Hoxhës, duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim me Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Shkrimi i Plotë:
Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka njoftuar sot dekretimin e rektorëve të përfshirë në skandale plagjiature, siç është rasti i Artan Hoxhës, duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim me Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit është e njohur publikisht për doktoraturën e saj të kapur me plagjiaturë. Pavarësisht ankesave të bëra në të gjitha institucionet përkatëse, Komisioni Qendror i Universitetit ka kthyer një përgjigje formale, pa emra dhe vetëm me vulë, duke përforcuar shkeljet ligjore.
Po Begaj, a ka një karrierë të ndërtuar mbi plagjiaturën? Begaj, i cili është mjek në profesion, ka marrë titullin profesor i asociuar, për të cilin nevojiteshin publikime me faktor impakti. Megjithatë, kërkimet tregojnë se jo vetëm që nuk ka publikime të tilla, por edhe një nga artikujt e tij, “Assessment and Management of Gastrointestinal Disorders during Pregnancy”, i publikuar në Advances in Life Science and Technology (https://www.iiste.org/ Journals/index.php/ALST/ article/view/17044), është 100% i kopjuar nga materialet e leksioneve të Shoqatës së Mjekësisë Obstetrike të Amerikës së Veriut (https://ëeb.archive.org/ëeb/ 20050310042337/http://www. obmed.org/pdfs/gastro.pdf). Madje, Presidenti vendos të dhënat për SHBA si të dhëna për vendin tonë.
Tashmë presidenti i shtohet listës së gjatë të shumë figurave politike që kanë ndërtuar karrierën akademike mbi vjedhjen e pronës intelektuale. Këto fakte tregojnë qartë se si pseudointelektualët jo vetëm që kanë penguar zhvillimin e elitave shqiptare dhe avancimin e universiteteve, por vazhdojnë të mbajnë gjallë hipokrizinë e vlerësimit të ndërsjelltë mes tyresh duke shkelur ligjet shqiptare. Shqipëria sot renditet e fundit në rajon dhe Evropë për nivelin e arsimit dhe shkencës, si dhe për largimin masiv të trurit. Kapja e institucioneve nga plagjiatura jo vetëm që nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit, por e përkeqëson edhe më shumë situatën.