Një studim i ri ka dalë në konkluzionin që përdorimi me sasi sa më të pakët i kripës ul rrezikun e vdekjes së hershme. Studimi është botuar në revistën “Annals of Internal Medicine”.
“Ne jemi të emocionuar që jemi në gjendje të ofrojmë prova se zëvendësimet e kripës janë efektive për përmirësimin e rezultateve kardiovaskulare kur përdoren afatgjatë, deri në 10 vjet,” tha autori i studimit Dr. Loai Albarqouni.
Studimi përfshin 35,251 pjesëmarrës që ishin mesatarisht rreth moshës 64 vjeç dhe kishin një rrezik më të lartë se mesatarja për sëmundje kardiovaskulare. Provat ishin kryesisht në Kinë, ndërsa pjesa tjetër në Mbretërinë e Bashkuar, Tajvan, Peru, Holandë dhe Norvegji.
Hulumtuesit e studimit zbuluan se zëvendësimi i kripës u lidh gjithashtu me një ulje të natriumit në urinë dhe presionit të gjakut, një efekt i ngjashëm me atë të ilaçeve për presionin e gjakut. Kjo mund të shpjegojë uljen e rrezikut të vdekjes.
Provat krahasuan përdorimin e kripës së zakonshme – të bërë nga rreth 100% klorur natriumi, herë pas here me jod të shtuar, me përdorimin e një zëvendësuesi të kripës të përbërë nga 25% deri në 30% klorur kaliumi dhe 60% deri në 75% klorur natriumi.
Kufiri ideal ditor i natriumit sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës është 1 500 miligramë në ditë për shumicën e të rriturve, veçanërisht ata me presion të lartë të gjakut, dhe jo më shumë se 2 300 miligramë në ditë.
“Nëse pjesa më e madhe e marrjes së ushqimit vjen nga ushqimi i paketuar ose i restorantit, ka të ngjarë që marrja e natriumit të jetë shumë e lartë. Kur ushqimi që konsumoni ka shumë natrium ka shumë shenja fizike që shfaqen, si fryrje apo ënjtje, lodhje, presion i lartë i gjakut, etje e shtuar dhe/ose urinim”, tha autori i i studimit.
Kur blini ushqime të paketuara, kontrolloni përmbajtjen e natriumit në etiketa. Disa ushqime mund të përmbajnë më shumë natrium sesa mendoni. Një turshi me madhësi standarde zakonisht ka rreth 1 500 miligramë kripë.
Përveç uljes së konsumit të kripës, mund të provoni gjithashtu të blini zëvendësues kripërash, ose të përdorni erëza pa kripë për t’i shtuar më shumë shije ushqimit. Ushqimi me më pak kripë mund të jetë i mërzitshëm në fillim, por shijet tuaja mund të përshtaten brenda vetëm disa javësh, kështu që jepini vetes kohë për t’u përshtatur.