Studim/ Fëmijët amerikanë po bëhen gjithnjë e më të pashëndetshëm – rriten obeziteti, sëmundjet…

Shëndeti i fëmijëve në Shtetet e Bashkuara është përkeqësuar ndjeshëm gjatë 17 viteve të fundit, sipas një studimi gjithëpërfshirës të publikuar në “Journal of the American Medical Association”, i cili tregon rritje të ndjeshme të obezitetit, sëmundjeve kronike dhe çrregullimeve të shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët amerikanë.

“Pjesa më tronditëse nuk ishte një statistikë e vetme, por fakti se 170 tregues dhe 8 burime të dhënash tregonin të njëjtin realitet: përkeqësim i përgjithshëm i shëndetit të fëmijëve”, deklaroi Dr. Christopher Forrest, pediatër në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia dhe autor i studimit.

Të dhëna shqetësuese nga studimi:

-Obeziteti tek fëmijët 2-19 vjeç u rrit nga 17% në 2007-2008 në rreth 21% në 2021-2023.

-Një fëmijë në SHBA në 2023 kishte 15–20% më shumë gjasa të vuante nga sëmundje si ankthi, depresioni ose apnea e gjumit, krahasuar me 2011.

-Prevalenca vjetore e 97 sëmundjeve kronike u rrit nga 40% në 2011 në 46% në 2023.

-Po ashtu, janë rritur problemet me gjumin, fillimi i hershëm i menstruacioneve, vetmia, simptomat fizike dhe depresive.

-Fëmijët amerikanë kanë 1.8 herë më shumë gjasa të vdesin sesa bashkëmoshatarët e tyre në vendet e tjera të zhvilluara, kryesisht nga lindjet e parakohshme, incidentet me armë zjarri dhe aksidentet rrugore.

Ekspertët kritikojnë politikat e administratës amerikane

Ekspertët thonë se politikat federale nuk po adresojnë në mënyrë efektive përkeqësimin e shëndetit të fëmijëve. Dr. Frederick Rivara nga Spitali i Fëmijëve në Seattle u shpreh se SHBA nuk po mban ritmin me vendet e tjera të pasura, dhe shtoi se veprimet e administratës Trump, si shkurtimet në Medicaid, në agjencitë shëndetësore dhe kërkimin shkencor, nuk ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes.

Në një editorial shoqërues, thuhet se, ndonëse lëvizja “Ta Bëjmë Amerikën të Shëndetshme Përsëri (MAHA)” ka ngritur disa shqetësime të rëndësishme, politikat aktuale minojnë vetë ato qëllime, përmes:

-shkurtimit të programeve parandaluese për shëndetin e nënave dhe fëmijëve

-shtyrjes së hezitimit ndaj vaksinimit

-mosinvestimit në fushata kundër vdekjes së papritur të foshnjave

Thirrje për një qasje sistemike

Dr. Forrest theksoi se problemet shëndetësore të fëmijëve reflektojnë çrregullime më të mëdha shoqërore dhe ekonomike në SHBA:

“Fëmijët janë si kanarinat në minierën e qymyrit – kur ata preken, është një paralajmërim për gjithë shoqërinë. Duhet të analizojmë ekosistemin në të cilin po rriten fëmijët tanë dhe të veprojmë lagje më lagje, qytet më qytet.”