Studentët serbë nisen me biçikleta drejt Strasburgut, kërkojnë vëmendjen e zyrtarëve evropianë për situatën në Serbi
Një grup studentësh serbë dhe anëtarë të komunitetit akademik janë nisur me biçikleta nga Novi Sadi drejt selisë së Këshillit të Evropës në Strasburg, në një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e zyrtarëve evropianë mbi situatën në Serbi dhe kërkesat e tyre.
Studentët, të cilët përfaqësojnë universitete nga Novi Sadi, Beogradi, Nishi dhe Kragujevaci, do të udhëtojnë rreth 1300 km përmes Hungarisë, Sllovakisë, Austrisë dhe Gjermanisë, përpara se të mbërrijnë në Francë më 17 prill.
Strasburgu u zgjodh si destinacion për shkak se aty ndodhen Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian, institucione që luajnë një rol kyç në mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, vlera që studentët serbë besojnë se janë në rrezik në vendin e tyre.
Vladimir Beljanski, presidenti i Odës së Avokatëve të Vojvodinës, i është bashkuar studentëve në këtë udhëtim simbolik dhe ka deklaruar se është e domosdoshme që Evropa t’i kushtojë më shumë vëmendje zhvillimeve në Serbi.
“Evropa ka fjetur për një kohë të gjatë. Serbia është pjesë e Evropës, nuk jemi një fis i egër ballkanik. Udhëtimi i studentëve është simbolik, por edhe praktik, pasi duam të tërheqim vëmendjen e institucioneve evropiane”, tha Beljanski për N1.
Nisma e tyre është mbështetur nga qytetarë dhe organizata lokale. Të mërkurën në mbrëmje, më shumë se 50 fermerë përgatitën ushqime për të mbledhur fonde për udhëtimin e tyre, ndërsa një kompani taksish në Novi Sad ka nisur një fushatë për mbledhjen e donacioneve.
Studentët u nisën më 3 prill, një ditë para Ditës së Studentëve, dhe gjatë gjithë udhëtimit do të shoqërohen nga ekipe të mediave serbe N1 dhe Nova, të cilët do të raportojnë mbi këtë iniciativë.