Stoku në gjykata arrin 140 mijë dosje! Qeveria rekomandon gjykimin e shkurtuar dhe marrëveshjet e fajësisë si zgjidhje
Stoku i çështjeve gjyqësore në gjykatat shqiptare ka arritur shifra alarmante, duke kapur kuotën e 140 mijë dosjeve të pashqyrtuara, ndërsa vetëm në Gjykatën e Apelit janë rreth 40 mijë çështje në pritje.
Për të përballuar këtë krizë të ngarkesës së tepërt, qeveria ka miratuar një seri rekomandimesh të cilat u prezantuan pak ditë më parë nga ministri i Drejtësisë.
Dy zgjidhjet kryesore të propozuara janë:
-Gjykimi i shkurtuar, që aktualisht përdoret në mënyrë të kufizuar;
-Marrëveshjet e fajësisë, të cilat gjithashtu nuk aplikohen shpesh nga prokurorët.
Qeveria i bën thirrje prokurorive lokale dhe SPAK-ut të shmangin zvarritjen e hetimeve pa arsye të justifikuara. Në të njëjtën kohë, kërkohet që ndalimet të mos jenë arbitrare dhe çdo kërkesë për masa sigurie të bazohet në prova të mjaftueshme. Çdo masë e tillë, sipas rekomandimeve, duhet të mbikëqyret rreptësisht nga gjykatat.
Në dokumentin e miratuar për vitin 2025, vëmendje i jepet edhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe zbatimit të dënimeve alternative, si puna me interes publik apo dënimet me kusht, për të shmangur mbingarkesën në sistemin e burgjeve.
Sipas të dhënave zyrtare, në burgje ndodhen aktualisht 2700 të paraburgosur që ende presin vendimin përfundimtar nga drejtësia, përkundër 1600 të dënuarve me vendim të formës së prerë, çka tregon një disbalancë të theksuar në funksionimin e drejtësisë penale.
Nga ana tjetër, SPAK raportoi se gjatë vitit 2024 janë regjistruar 483 dosje për korrupsion, që përbëjnë rreth 70% të volumit total të punës së institucionit. Ndërsa për të njëjtin vit, prokuroritë e rretheve kanë regjistruar 2030 dosje për vepra të korrupsionit, ku dominon shpërdorimi i detyrës.