Edhe pse seanca paraprake për dosjen “Sterilizimi” ishte shtyrë për datën e sotme, përsëri nuk ka përfunduar, por është shtyrë për herë të tretë. Pas 4 orësh, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se seanca është shtyrë për datën 10 tetor në orën 10:00 ku do të lexohen 50 faqet e mbetura nga aktet e përpiluara nga SPAK. Shkak është bërë kërkesa e ish-ministrit të Shëndëetësisë, Ilir Beqajt dhe avokatëve të tij mbrojtës, të cilët kanë kërkuar që prokurorët e çështjes të lexojnë resht për resht materialin e gjatë të kërkesës për gjykim. Kjo kërkesë e mbrojtjes ka shkaktuar edhe ngadalësimin e procesit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur dyshime se ish-ministri Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues i parave ka qenë vetë ish-ministri dhe bashkëpunëtorët e tij, por SPAK nuk e ka një shifër ekzakte, ndaj ish-ministri Beqaj akuzohet për shpërdorim detyre.