‘Sterilizimi’/ Rama te ‘Shefqet Ndroqi’: Standard i ri sigurie për ndërhyrjet operatore. Ata që vepruan pas shpine, të përballen me drejtësinë
Kryeministri Edi Rama inspektoi një nga centralet e sterilizimit në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, duke parë nga afër procesin e sterilizimit të pajisjeve.
Rama thotë se garantohet një standard i ri sigurie për ndërhyrje duke i kursyer shtetit miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve.
Kryeministri theksoi se është krijuar një konfuzion i madh për shkak të hetimit të koncesionit të sterilizimit ndërsa shtoi se ata që kanë vepruar pas shpine, duhet të përballen me drejtësinë. Ai thotë se hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e PPP-së, nuk e cenon suksesin e nismës.
“Është bërë një konfuzion i madh për shkak të hetimit të procedurës dhe të kompanisë përkatëse, midis përfitimit të madh që ka pasur sistemi dhe çfarëdo qoftë individë të caktuar mund të kenë bërë pas shpine që është çështja e tyre me drejtësinë. Por një nga gjërat më evidente sot dhe që e lexova nga një person që është shumë kritik me ne, një nga kalkulimet që bënte Irena konfirmon atë që kemi thënë, se vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital, ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë sesa gjithë shpenzimi total që është bërë për këtë proces dhe e gjithë kostoja e përgjithshme që është parashikuar për procesin.”, theksoi kryeministri Rama.