Sterilizimi, GJKKO përplaset me SPAK për masën ndaj Ilir Beqajt: Duhej akuzuar edhe për një tjetër vepër penale


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duket se nuk është dakord me vendimin e SPAK për masën e sigurisë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Në një vendim të zbardhur prej rreth 300 faqesh, thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim Ilir Beqaj, krahas figurës së veprës penale “Shpërdorim i detyrës” ka konsumuar edhe elementët e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.

“Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”, thuhet midis të tjerash .

“Ky fakt evidenohet për të përcaktuar rëndësinë e faktit në rastin konkret ose masës së dënimit që mund të caktohet ndaj personit nën hetim. Gjykata çmon të ritheksoj se termin ligjor “rëndësia e faktit” parashikuar nga nenet 229 dhe 260 i K.Pr.Penale nuk nënkuptohet cilësimi juridik që i bëhet faktit nga prokuroria, por nënkupton një veprim, sjellje dhe fakt,) që i korrespondon një vepre penale të parashikuar nga Kodi Penal dhe që i nënshtrohet një vlerësimi të pavarur nga gjykata kur shqyrton kërkesën për caktimin ose zëvendësimin e masës së sigurimit. Përkundrazi, gjykata pas administrimit të provave mund të konkludojë se jemi përpara një cilësimi juridik të gabuar të prokurorisë që në fazën e hetimit paraprak. Përcaktimi i saktë i normës që parashikon veprën penale, ka një rëndësi themelore, sepse është një parakusht për respektimin e parimit të ligjshmërisë”, thuhet midis të tjerash në vendim.