Të tjera detaje kanë dalë për ngjarjen e rëndë të ndodhur pak ditë më parë në Korçë, ku 45-vjeçari Bledar Trëndafili i vendosi flakën me benzinë bashkëshortes së tij, 31-vjeçares Melisa Trëndafili, më të cilën ishin në proces divorci.
Në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, Ana Sino, mamaja e Melisës, ka zbardhur zanafillën e ngjarjes dhe gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht në spital vajza e saj.
“Unë atë ditë kam shkuar te vëllai në fshat, te familja ime dhe mora me vete edhe fëmijët e Melisës. Ai nuk pranonte divorc në asnjë mënyrë.Në njëfarë ore ai kishte telefonuar Melisën dhe i kishte thënë ku janë fëmijët të shkoj t’i takoj se do i jap peshk. Kjo i kishte thënë që mami i ka marrë fëmijët me vete dhe është në fshat. Nuk kalon pak dhe vjen në fshat te familja ime ky. Nuk pranonte divorc në asnjë mënyrë. Më tha edhe mua nuk e mendoj dot që ajo të ketë lidhje me njeri tjetër.Nuk flet, në një moment që e zë gjumi fillon dhe më thotë ‘erdhi, erdhi, është këtu…’. Sepse nuk është mirë. Shtetit i kërkoj, kujdes duhet pëa ata fëmijë. Po shikon ndonjë polic te porta ti të më mbrojë mua?”, ka thënë mes të tjerash Ana, e ëma e Melisës.
45-vjeçari tentoi ta djegë për faktin se kjo e fundit prej një viti e kishte braktisur, për shkak se ai ishte kthyer në përdorues i rregullt droge. Para ngjarjes së rëndë, gruaja i kishte kërkuar në shumë raste që burri i saj të hiqte dorë nga konsumimi i drogës, por kërkesat e saj kishin rënë në vesh të shurdhër.
Por rezulton se çifti nuk ka regjistruar pranë Gjykatës së Korçës, çështjen për shkurorëzim, edhe pse prej 4 muajsh jetonin të ndarë. Më herët policia në komunikatën për mediat, deklaroi se çifti është në proces divorci. Melisa Trëndafili gjatë kësaj kohe jetonte më nënën dhe dy fëmijët e saj në një banesë të lagjes nr.2 të Korçës.
Ndërsa sipas të dhënave nuk rezulton që Melisa Trëndafili të ketë kërkuar urdhër mbrojtje ndaj 45-vjeçarit, por vetë qëndrimi i çiftit të ndarë, duke se ka krijuar shkëndijat e para të xhelozisë, që shtynë më pas Bledar Trëndafilin të ndërmerrte aktin ekstrem.
31-vjeçarja në momentet e para të ngjarjes, ka marrë ndihmën e parë nga një fqinje, e cila ndërhyri duke i larguar rrobat e përfshira nga flakët dhe më pas u transportua në spitalin e Korçës, aty mori ndihmën e parë nga mjekët, për t’u dërguar më pas në repartin e djegie plastikës në QSUT. Ngjarja ngjalli reagime të shumta të aktorëve politik.
BURIMI: EURONEWS.AL