Spitali në Berlin siguron 5 milionë euro për ngrirjen e trupave në -196°C: Shpresa për të ringjallur njerëzit në të ardhmen

Një spital në Berlin, përmes kompanisë gjermane Tomorrow.Bio, ka siguruar një financim të konsiderueshëm prej 5 milionë euro, për të avancuar kërkimet dhe shërbimet në fushën e krionikës, një proces i cili synon ruajtjen e trupit të njeriut në temperatura ekstreme, në pritje të zhvillimeve të ardhshme shkencore që mund të bëjnë të mundur rikthimin në jetë.

Krionika është një procedurë ku trupi i njeriut vendoset në tuba të veçantë në temperaturë -196°C, menjëherë pas shpalljes ligjore të vdekjes, me qëllim që të ndalet çdo proces biologjik dhe të parandalohet dekompozimi. Kompania operon në bashkëpunim me Fondacionin Evropian të Biostazës në Zvicër, ku ruhen aktualisht trupat e ngrirë në depozita të mbushura me azot të lëngshëm.

Për këtë procedurë, çmimi për ruajtjen e trupit të plotë është rreth 200,000 euro, ndërsa për ruajtjen vetëm të trurit është 75,000 euro. Shumë klientë e mbulojnë këtë kosto përmes policave të sigurimit të jetës, ndërsa Tomorrow.Bio ofron edhe një abonim mujor prej 50 euro, që përfshin përgatitjen, transportin dhe ruajtjen pas vdekjes.

Pas marrjes së trupit, specialistët e kompanisë ndërhyjnë menjëherë me masa për furnizimin me oksigjen dhe ngadalësimin e temperaturës së trupit, ndërsa zëvendësojnë lëngjet trupore me një substancë kriprombrojtëse që ndalon formimin e kristaleve të akullit që mund të dëmtojnë qelizat.

Përmes këtij financimi të ri, Tomorrow.Bio synon të zgjasë shërbimet e saj në Shtetet e Bashkuara dhe të rrisë cilësinë e teknologjisë së ruajtjes. Sipas përfaqësuesve të kompanisë, aktualisht janë mbi 800 persona në Europë që kanë firmosur marrëveshje për krionikën, përfshirë edhe ruajtjen e kafshëve shtëpiake.

Edhe pse shumë shkencëtarë janë ende skeptikë për mundësinë e rikthimit real të jetës në të ardhmen, eksperimentet me dritë infra të kuqe dhe teknologji të rigjenerimit qelizor janë në zhvillim, dhe Tomorrow.Bio po punon për të qenë në pararojë të këtij revolucion potencial mjekësor.