Spiropali takon babain e një prej pengjeve të Hamasit, ambasadorja izraelite: Qëndrimi i saj dha shpresë për kthimin e djalit
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një takim me Alon Nimrodi, babain e Tamirit, i cili prej 651 ditësh mbahet peng nga grupi terrorist Hamas.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg, e cila ka shprehur publikisht falënderimet për kryeparlamentaren shqiptare. Në një reagim në rrjetin social “X”, diplomatja izraelite vlerësoi qëndrimin e Spiropalit si një gjest të rëndësishëm solidariteti dhe shprese.
“Faleminderit, znj. Kryetare Elisa Spiropali, për takimin me Alon Nimrodi, babai i Tamirit, i cili po mbahet peng nga terroristët e Hamasit prej 651 ditësh. Qëndrimi juaj njerëzor dhe profesional i dha atij shpresë se Shqipëria është e gatshme të ndihmojë për kthimin e djalit të tij dhe të të gjithë pengjeve në shtëpi”, – shkruan ambasadorja Peleg.