Spiropali shpall fitoren e PS në Vorë: Rezultati elektronik tregoi mbështetjen e thellë, synojmë 20 mandate në Tiranë
Elisa Spiropali, drejtuese politike e PS në Qarkun Tiranë, ka deklaruar fitoren e partisë së saj në Vorë, duke theksuar se rezultati elektronik ka konfirmuar mbështetjen e gjerë. Sipas saj, numërimi elektronik i votave në Vorë dhe njësinë 10 është bërë për të siguruar transparencë dhe rezultate në kohë reale, ku Vorë do të ishte e para që shpallte fitoren e thellë të PS.
“Ne investuam në numërimin elektronik në Vorë dhe në njësi 10 pikërisht për të dhënë rezultatin në kohë reale, dhe siç edhe rezulton nga ky numërim sot, Bashkia e Vorës ka konfirmuar fitoren e thellë të PS,” deklaroi Spiropali.
Ajo u ndal edhe te konflikti i një dite më parë mes qytetarëve dhe deputetit Flamur Noka, duke e cilësuar si të stisur dhe pa bazë, me qëllim krijimin e zhurmës për të mbuluar, sipas saj, rezultatin e dobët të opozitës. Ndërkohë, Spiropali tha se PS synon të arrijë 20 mandate në qarkun Tiranë, duke shprehur besimin në mbështetjen e votuesve.
Spiropali: Së pari, kjo është një ditë shumë e mirë për Shqipërinë. Shqipëria europiane nuk është më një ëndërr por një realitet i prekshëm dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta realizuar.
Edhe pse këtu në Vorë rezultati elektronik duhej të kishte dalë që mbrëmë, dhe ky është qëndrimi ynë, ne investuam në numërimin elektronik në Vorë dhe në njësi 10, pikërisht për të dhënë rezultatin dhe për të vazhduar traditën e dhënies së rezultatit në kohë reale, ku Bashkia e Vorës do të kishte qenë Bashkia e parë që do të shpallte fitoren e thellë të PS, siç edhe rezulton nga ky numërim sot.
PS ka fituar në Vorë me një diferencë të thellë për shkak të punëve të mirë që kemi bërë këtu, jo vetëm me rindërtimin, por edhe me projekte të tjera të zhvillimit të infrastrukturës. Falë punës së madhe në terren, PS është pranë qytetarëve çdo ditë të vitit, dhe ky rezultat reflekton këtë besim të madh që Vora, qarku i Tiranës dhe gjithë Shqipëria i ka dhënë PS.
Kemi një diferencë shumë të thellë. Edhe pse kanë votuar më pak në Bashkinë e Vorës, PS ka një rritje në përqindje nga 2021 dhe partia ka një rënie serioze si në gjithë Shqipërinë dhe diferenca është thelluar.
Mungesa e kundërshtarëve ne proces tregon që edhe konflikti i stisur i djeshëm nuk kishte vërtetësi as bazë, por për të krijuar zhurmën e radhës, për shkak të dijenisë së tyre të plotë se çfarë rezultati të dobët do të merrnin në Vorë. Ata asnjëherë nuk i kanë kthyer sytë nga Vora, kanë ardhur vetëm dje për të bërë sharrënajën e radhës dhe përgjigjen e morën.
Mandatet në Tiranë?
Spiropali: Ne e kemi shpallur synimin tonë. 20 mandate në qarkun e Tiranës. Uroj që ky rezultat të lexohet në kutitë e votimit.