Spiropali përshëndet nga Kuvendi Ukrainën: Mbështetja jonë e vendosur për Ukrainën do të vijojë, për çlirimin e saj dhe paqe të qëndrueshme”

Kryeparlamentarja Spiropali përshëndet nga Kuvendi Ukrainën: Mbështetja jonë e vendosur për Ukrainën do të vijojë, për çlirimin e saj dhe paqe të qëndrueshme”

“Të përgjuarit”, dokumentari nga Oksana Karpovych u shfaq sot në Kuvendin e Shqipërisë në Forumim për Ukrainën, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, me pjesëmarrjen e Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali. Të pranishëm ishin z. Kujtim Çashku, Drejtor Ekzekutiv i IHRFFA, Prof. Theodore S. Orlin, President Nderi i Festivalit, z. Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri dhe z. Volodymyr Shkurov, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm i Ukrainës në Shqipëri dhe ambasadorë të disa vendeve të BE-së.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, në fjalën hapëse, ridëshmoi mbështetjen e Shqipërisë kundër luftës së imponuar të Ukrainës, teksa theksoi se Shqipëria është një nga vendet e para që i është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë dhe ka mbështetur të gjitha nismat e SHBA, BE-së, NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar në mbështetje të Ukrainës, në të gjitha forumet dhe organizatat ndërkombëtare.

 

Mund të nënvizohet fort në këtë drejtim kontributi shqiptar, si bashkëpenëmbajtëse me SHBA, gjatë mandatit si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Një detyrë e ushtruar gjatë viteve 2022-2023. Gjatë këtij mandati, së bashku me SHBA dhe aleatët e tjerë perëndimorë, ishim pjesë e përpjekjeve të çmuara për mbështetjen e Ukrainës dhe dënimin e pushtimit të Rusisë. Më 8 mars 2022 Kuvendi miratoi Rezolutën për mbështetjen për Ukrainën dhe kërkoi ndalimin e pushtimit rus. Në 3 maj 2022 Presidenti Zelenski iu drejtua nëpërmjet një video-mesazhi Kuvendit të Shqipërisë. Kuvendi mori gjithashtu pjesë, nëpërmjet një video-mesazhi përshëndetës në veprimtarinë “Përqafojmë Ukrainën”, organizuar më 21 Qershor 2022 në Amsterdam, bashkë me personalitete të larta politike, kulturore, artistike dhe aktivistë të njohur.”

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut dhe në praninë e Ambasadës së Ukrainës, kryeparlamentarja rrëfeu disa nga momentet që ka përjetuar në udhëtimin e saj në Ukrainë, ndërsa tha se dokumentari ” Intercepted” -Të përgjuarit, është një dëshmi për luftën, e parë nga perspektiva të ndryshme, nga Ukraina dhe Rusia.

“Asnjë e vërtetë nuk vjen vetëm, përplasja e dy të vërtetave alternative që përjashtojnë njëra-tjetrën, ajo ukrainase dhe ruse në këtë rast, japin mundësinë që sekush, nga perspektiva e lirisë vetjake, të formulojë të vërtetën e tij. Kjo është forca e artit që dhe kur është kamera që fikson detajet ngjethëse të luftës, dëshmohet si një armë e plotfuqishme për të çliruar mendje dhe shpirtëra njerëzorë. Siç thoshte dikur Kenedi i madh, amerikani nga Berlini i ndarë që i dha Gjermanisë, por dhe gjithë lindjes ish-komuniste një shpresë më shumë për të nesërmen.

Që vërtet vonoi, por erdhi dhe për të. Sepse sado e errët të jetë nata ku udhëton një grusht njerëzish apo edhe një komb i tërë, sërish ka një mëngjes që e zbardh. Për t’u bashkuar me mrekullinë që sjell vetëm liria!”

Ambasadori i BE në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, theksoi se Kuvendi është vendi ku qytetarët ushtrojnë të drejtat e tyre dhe ku japin llogari ata që janë në pushtet ndërsa falenderoi Kryetaren Spiropali që ka hapur dyert. “Dokumentari është i guximshëm, flet për pasojat morale dhe ligjore që sjellin krimet. Filmi na sjell në vemendje shkatërrimin me të cilin po përballen qytetarët.

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, z. Volodymyr Shkurov, dhe Drejtori Ekzekutiv i IHRFFA, z. Kujtim Çashku falenderuan Kuvendin e Shqipërisë dhe Kryetaren e Kuvendit për mbëhtetjen e vazhdueshme ndaj popullit të Ukrainës.

“Jam shumë mirënjohës për solidaritetin që ka dhënë Shqipëria.”-nënvizoi z. Shkurov.

Në forum përshëndeten edhe Prof. Theodore S. Orlin, President Nderi i Festivalit, nënvizoi se situata në Ukrainë është mjaft shqetësuese ndërsa theksoi se solidarizohen me popullin ukrainas për tragjedinë. “Jemi në krahun tuaj dhe solidarizohemi për tragjedinë. Kjo luftë është e tmerrshme. Pikëpyetjet vazhdojnë të jenë. Do të mbështesim kombin e Ukrainës, falenderoj të pranishmit dhe në veçanti Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali për fjalët dhe mbështetjen domethënëse.”-tha z. Orlin.