Spiropali në NATO: Vazhdojnë përpjekjet për destabilizim në Ballkan, thirrje Iranit për të ndalur aktivitetet bërthamore
Kryetarja e Parlamentit shqiptar, Elisa Spiropali, në fjalën e saj gjatë Asamblesë Parlamentare të NATO-s, theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe solidaritetin e Shqipërisë me Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.
Spiropali nënvizoi se Shqipëria i është bashkuar të gjitha masave të NATO-s dhe Bashkimit Europian, përfshirë sanksionet dhe ndihmën ushtarake e humanitare për Ukrainën.
“Në rajonin tonë vijojnë ndikimet keqdashëse që synojnë të destabilizojnë institucionet demokratike dhe të minojnë aspiratat euroatlantike,” tha Spiropali, duke shtuar se siguria e Ballkanit është e pandarë nga ajo e BE-së dhe NATO-s.
Në fjalën e saj, Spiropali bëri edhe një apel të fortë ndaj Iranit, duke i bërë thirrje të ndërpresë aktivitetet bërthamore dhe testimet e raketave balistike, duke vepruar në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Ajo theksoi se përshkallëzimi i tensioneve midis Iranit dhe Izraelit rrit pasigurinë në një botë tashmë të trazuar dhe se kërkohet vigjilencë e lartë në të gjitha frontet, përfshirë edhe rajonin tonë.
Kryeparlamentarja theksoi edhe pjesëmarrjen e saj në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, ku ripërsëriti mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën dhe nevojën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë.