Spektakël para finales së madhe/ Robbie Williams dhe Laura Pausini do të prezantojnë himnin e ri të FIFA-s përpara 82.500 tifozëve
Mbrëmjen e sotme, përpara finales së madhe të FIFA Club World Cup midis Chelseat dhe PSG-së, stadiumi “MetLife” në SHBA do të shndërrohet në një arenë muzikore ku pritet të performojnë dy emra të njohur të muzikës botërore: Robbie Williams dhe Laura Pausini.
Dy artistët do të ngjiten në skenë për të interpretuar për herë të parë live himnin e ri zyrtar të FIFA-s, “Desire”, përpara 82.500 spektatorëve. Performanca do të mbahet një orë e gjysmë përpara fillimit të ndeshjes, duke sjellë një atmosferë të veçantë në këtë natë futbolli dhe muzike.
FIFA ka zgjedhur për herë të parë të sjellë një “koncert të madh hapës” para nisjes së finales, duke ndjekur modelin e famshëm të “Super Bowl Halftime Show”. Kjo vjen një vit pas performancës së Shakirës në finalen e Copa America, duke e kthyer edhe futbollin në një festë shumëdimensionale.