Specialja nuk lejon lirimin nga qelia të Thaçit: Rrezikon të arratiset! Ka dijeni të plotë…

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur të vazhdojnë paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë ndaj Hashim Thaçit, i akuzuar për krime lufte bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Vendimi është marrë më 11 qershor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Prokuroria ka argumentuar se Thaçi përbën rrezik për arratisje pasi ka dijeni të plotë mbi akuzat dhe provat që rëndojnë ndaj tij. Sipas Prokurorisë, përfundimi i paraqitjes së provave rrit rrezikun e arratisjes dhe pengimit të procedurave. Po ashtu, është theksuar se Thaçi ka aktakuzë për pengim të drejtësisë, gjë që sipas tyre e shton këtë rrezik.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Thaçit ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke theksuar se asnjëherë nuk është konstatuar nga gjykata që Thaçi rrezikon të arratiset. Trupi gjykues ka vlerësuar se argumentet e Prokurorisë për rrezikun e arratisjes nuk janë bindëse, por ka pranuar se ekziston rrezik për pengim të procedurave dhe për kryerje të krimeve të tjera, sidomos pasi identitetet e dëshmitarëve të ndjeshëm janë zbuluar për Thaçin.

Trupi gjykues ka përfunduar se asnjë masë alternative, përfshirë lirimin me kusht, nuk i zbut këto rreziqe, ndaj ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të Thaçit edhe për dy muaj të tjerë.