SPAK zgjat hetimet për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin deri në tetor, deputetja thirret sot si e pandehur
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur të zgjasë hetimet ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe deputetes Monika Kryemadhi deri në muajin tetor.
Sot, Monika Kryemadhi është thirrur për t’u marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurës nga prokurorët e SPAK, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj saj. Ajo ndodhet me masë sigurie “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe pritet të japë shpjegime lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj saj.
Monika Kryemadhi ka deklaruar për mediat: Hetimet janë shtyre deri më në tetor, do shikojmë çfarë do të jetë sot. Do ju njoftojmë.
Kryemadhi dyshohet për disa vepra penale, përfshirë “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në dy raste dhe në bashkëpunim, “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
Ndërsa Ilir Meta, i cili ndodhet në burg, akuzohet për kryerjen e veprave penale të njëjta, por në tre raste për “korrupsion pasiv”, nga të cilat dy në bashkëpunim, si dhe për pastrim parash dhe fshehje të pasurive.