Dikur ishte krimineli më i kërkuar dhe më i përfolur nga mediat belge, sot gati një dekadë më vonë është në pranga! Mëngjesin e sotëm, Safet Bajri u kërkua që të paraqitej në Drejtorinë e Policisë Shkodër, kështu në kushtet e një personi që vetëm pak orë më parë kishte thurur lavde dhe elozhe ndaj uniformave blu dhe SPAK, duhet të shkonte…
Edhe nëse e kishte kuptuar se ishte e gjitha një karrem për ta prangosur!
Nga Shkodra, Safet Bajri u soll në Tiranë ku tashmë do të duhet të japë llogari për vrasjen e Fatbardh Licit; njeriut që edhe pse kishte lidhje kumbarie, nuk iu desh të mendohej dy herë për t’i marrë jetën.
Por kush është Safet Bajri (Rustemi)?
Një ndër personazhet më të përfolur në media, kur përveçse është diskutuar shumë lidhur me të, edhe ai vetë nuk ka munguar për të thënë “të vërtetën” e tij. Sigurisht këtë hapësirë e gjeti vetëm në mediat shqiptare, pasi ato belge, si “Le derniere heure”, i ishin vënë këmba-këmbës për ta denoncuar publikisht si një nga personazhet më të pamëshirshëm të botës së krimit në vendin e tyre.
Mediat belge e kishin të qartë me kë kishin të bënin dhe nuk nguronin që ta tregonin në çdo artikull, kurdoherë! Fisi Bajri, sipas tyre, ishin të investuar në prostitucion, zhvatje, kërcënime serioze për jetën deri edhe në eliminime fizike. Por nëse koka është tjetër kush për drejtësinë shqiptare, për belgët ai që spikaste kishte vetëm një emër! ‘Mbreti’ apo ndryshe ‘Lordi’; kështu e quante veten Safet Bajri.
Sipas policisë belge, banda nga Shkodra e zhvillonte aktivitetin e saj kriminal kryesisht në Bruksel, por në mendje kishin mbetur shqiptarë.
Ishin të gjithë vëllezër e djem xhaxhallarësh, por në krye ishte më i madhi, Ilir Bajraj, me mbiemrin e ndryshuar Rustemi. Në radhë, po sipas dosjes belge të Bajrave, Iliri zëvendësohej në punët e tij nga vëllai i dytë Sead Selhani (edhe ky me mbiemër të ndryshuar), i njohur si Dushi.
I treti në radhë vinte Safet Rustemi dhe i fundit, Bardhyl Rustemi. Të paktën këta kanë identifikuar belgët, pasi në Shqipëri, njihen edhe Behar dhe Enver Bajri që gjithashtu janë krahë shumë të fortë të fisit, por që tashmë të dy janë në qeli. Për autoritetet shqiptare është Enver Bajri “truri” i fisit.
Nëpër rrugët e Belgjikës po tentonin të merrnin sa më shumë territor të mundeshin. Ata po tentonin të rrisnin influencën mbi prostitucionin dhe trafikun e drogës, veçanërisht duke sulmuar pronarët e disa lokaleve për t’u marrë atyre baret nën kontroll duke u vendosur gjoba. Ishte denoncimi i një prej këtyre pronarëve, ai që solli edhe ekspozimin e tyre.
Bajrat në Belgjikë nuk ushtronin terror vetëm mbi pronarët e lokaleve, por kishin krijuar edhe një rrjet të gjerë të prostitucioni. Në dosjen e përpiluar nga autoritetet e Brukselit u zbulua një histori tronditëse me viktimë një vajzë të quajtur Anxhela (me shumë gjasa jo emri i saj i vërtetë). Dhuna e Safet Bajrit ndaj vajzave që prostituonin ishte rrëqethëse. Anxhela tregon sesi Safet Bajri i kishte thyer legenin.
“Anxhela më pas dëgon një mesazh/SMS në Shqipëri, në të cilin i shpreh korrespondentit të saj që ka legenin të thyer dhe se është Safeti që e ka goditur. Të nesërmen në një bisedë me Sabrinën, Anxhela i thotë se ajo vetëm sa e pyeti Safet Rustemin, për arsyen që e shtynte të pinte aq shumë në një kohë që ajo punonte për të pa problem, që pastronte, që lante enët dhe përgatiste për të ngrënë për të. Një ditë më pas Anxhela i thotë Sabrinës që ka shkuar në spital për të hequr fashot nga legeni dhe duhet sërish të punojë pasi nuk kishte para.”
Por pse ishte dhunuar?
Anxhela i tregon një vajze tjetër në lidhje me festën e organizuar me rastin e ditëlindjes së Safetit. Në festë e sipër, ai i kishte kërkuar para, 3200 euro, për t’ja thënë këngëtares; shumë që Anxhelës i duheshin 3 muaj t’i fitonte.
Për të gjitha këto akuza, Bajri u vendos në burg! Edhe pse u lirua në datën 22 dhjetor 2015, sërish u arrestua më 17 tetor 2016. E sërish u lirua dhe vazhdoi të ushtronte normalisht aktivitetin e tij në trafikun e qenieve njerëzore. Por përveçse asaj që bënte në Belgjikë, mediat kishin kërkuar gjerë e gjatë edhe për aktivitetin e familjes në Shqipëri.
“Emri i njërit prej kriminelëve më të kërkuar të Belgjikës ndodhet në një hartë plazh të Adriatikut. Ne morëm planet e pushtimit të plazheve të Velipojës. Afër Shkodrës në Shqipërinë e Veriut, Velipojë është një nga plazhet më të bukura të Adriatikut. Dhe këtu, në këtë nivel, papritur, lexojmë emrin Safet Bajri. Emri i përdorur nga Safet Rustemi, një prej kriminelëve më të kërkuar në Belgjikë. 5 familjet e më të fortëve të Shkodrës shfrytëzojnë Velipojën. Safet Rustemi shfrytëzon 620 shtretër plazhi dhe shezlongë. Safet Bajri zë një vend qëndror në Plazhin e Velipojës. 5 familjet e më të fortëve të shkodrës shfrytëzojnë Velipojën,”-shkruhej nga mediat belge për Rustemin.
Për të gjitha këto akuza, në një intervistë të dhënë për Report Tv, Bajri i zeroi duke u shprehur në Belgjikë e diskriminonin se ishte shqiptar.
Fliste se nuk kishte të ardhura, madje ishte në borxh me avokatin dhe se “mbante frymën gjallë” me një rezervuar ku kultivonte peshq. Në 2018, thoshte se nuk kishte as mjete të blinduara, ndryshe nga intervista e pak ditëve më parë.
“Më liruan, më prenë biletën e avionit, më hipën në avion dhe më kthyen në Shqipëri. Tani më kanë dënuar në mungesë. Flet parlamenti belg, flet ministri i Drejtësisë i Belgjikës. Pse nuk foli në kohën kur u falsifikua dosja dhe më arrestuan? Apo se jam shqiptar? Për sa i përket plazheve është fare e thjeshtë dhe është diçka që verifikohet. Unë nuk kam asnjë lloj plazhi. Nuk kam asnjë lloj prone dhe këtë mund ta verifikoni në bashki. Me peshkun kam punuar shumë sepse kam një rezervuar, sa për të jetuar. Blindat? S’kam asnjë lloj automjeti. Ku t’i marr?,”-thoshte Bajri.
Atë vit, disa muaj pasi dha intervistën, u vendos në pranga në kuadër të operacionit “Oaz”, si kreu i organizatës bashkë me kushërinjtë e tij Ilir dhe Behar Bajri, ku akuzoheshin se vendosnin gjoba dhe kryenin aktivitete ilegale, deri te shitja e drogës. Me shumë bujë u përcoll arrestimi i tij dhe i grupit, por dënimi “shfryu” gjithçka. Belgjika me 9 vite burg, ndërsa Gjykata e Shkodrës i dha vetëm 2 vite e 6 muaj heqje lirie.
Dënimin e kreu për të dalë “i pastër” nga qelia e burgut të Kosovës, gati për të nisur një jetë të re.
Pas lirimit, Safet Bajri ishte “zhdukur” nga ngjarjet kriminale të paktën në dukje. Deri pak ditë më parë kur u detyra që të dilte dhe të mbronte veten. Në “TopChannel” i bëri alibinë vetes se përse iu gjendën makinat e tij të blinduara në Bushat.
“Për ngjarjen e Bushatit, ata persona as nuk i njeh kërkush, as nuk i njoh unë, as nuk i njohin çunat. Nuk kanë patur problem kurrë me ata çuna. Janë tre makina, kanë shkuar në një zonë, ku është hapur zjarr. Si munden me shku tre makina, të cilat janë të njohura se të kujt janë, “Benzi” dhe “Audi” me targa franceze janë makinat e mia, se i kam përdorur unë për çdo ditë. Si mundet, me shku tre makina të blinduara, me përgatit kushte për një vrasje, kur janë tre makina që i njef e gjithë Shkodra se kush i ka. Unë jam i sigurt 1000% se ata persona nuk kanë patur asnjë gjë në drejtim as të atyre çunave dhe as në drejtim temin apo në drejtim të makinave, veç se kanë dyshuar për gjërat e veta se çfarë janë këto makina që kanë ndalur këtu. Nuk po e konfirmoj se kam qenë në Bushat, do të doja të isha. Të isha unë aty asnjë makinë s’do kisha lejuar të largohej nga vendngjarja, do të kisha telefonuar Policinë dhe do i kisha thënë “hajdeni këtu”, nuk do t’i kisha lënë. Makinat janë të blinduara, pse duhet t’i lëvizësh prej vendngjarjes dhe kur kalon një motorr dhe qëllon. “
Por nuk do të ishte ngjarja e Bushatit (e pazbardhur akoma), ajo që do ta vendoste në pranga!
Mesa duket e shkuara e errët nuk e fali!
Sot, “hija” e atij që kishin lidhje kumbarie e ndoqi dhe e vendosi në pranga. Mëngjesin e gushtit të 2018, Safet Bajri dhe Astmer Bilali kishin shkuar për të ekzekutuar Fatbardh Licin. Sipas Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, panorama është e qartë; vrasja e Silvi Ndocit dhe Boran Bërçanës e kishte shqetësuar Behar Bajrin. Ky i fundit ishte i bindur që autori i vrasjes ishte Ibrahim Lici, nipi i viktimës. Në pamundësi për të gjetur atë që është bërë “Fantazma”, Bajrajt ekzekutuan xhaxhanë e Ibrahimit, duke fshirë çdo miqësi që kishin lidhur me të deri në atë moment. Me këtë “goditje” SPAK duket se ka zbuluar dy ngjarje kriminale, vrasjen e çiftit dhe ekzekutimin e Licit, provë që çimenton përplasjen mes dy fiseve. Tashmë duket se dominoja e parë ra. Shumë pak duket për të zbërthyer zinxhirin e ekzekutimeve që në 2018 e kthyen Shkodrën në Palermon e kohëve moderne. Madje jo vetëm aq!
Duket sikur prej asokohe vendi nuk ka gjetur qetësi duke numëruar vetëm viktimat dhe plumbat në vendngjarje. Tashmë duket se është radha që të ketë edhe autorë, edhe drejtësi!