SPAK zbardh rrjetin ndërkombëtar të drogës: Identifikohen 16 grupe kriminale shqiptare, zbulohen komunikimet e koduara në Sky ECC

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuara (SPAK) ka zbuluar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë që operojnë kryesisht në trafikun e kokainës dhe kanabisit, të cilat janë aktive në shumë shtete të Bashkimit Evropian dhe jashtë tij. Grupi më i madh është ai që vepron në Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Francë dhe Gjermani, me disa grupe që janë të përfshira në tregje ndërkombëtare të krimit, përfshirë kontrabandën e qenieve njerëzore dhe krimin kibernetik.

Në raportin e vitit 2024, SPAK njofton se këto grupe kanë një strukturë të fortë hierarkike dhe përfshijnë anëtarë të rëndësishëm të shoqërisë, përfshirë përfaqësues të gjyqësorit, prokurorisë, policisë, medias dhe botës akademike. Ndër tiparet e tjera të veçanta të këtyre grupeve është përdorimi i komunikimeve të koduara përmes platformës Sky ECC, që ka mundësuar dekriptimin dhe identifikimin e aktiviteteve kriminale.

Sipas SPAK, 9 nga këto grupe janë identifikuar dhe kanë vepruar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Kukësin dhe Vlorën. Shtetas shqiptarë, të cilët janë të vendosur në Brazil, Paraguay, Ekuador dhe Surinam, janë të përfshirë në transportimin dhe menaxhimin e ngarkesave të drogës nga Amerika Latine drejt Evropës.

Përmes bashkëpunimit me Europol dhe agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare, SPAK ka arritur të sigurojë prova të dekriptuara, që mundësojnë analizimin e metodave dhe modus operandi të këtyre grupeve kriminale, si dhe rrugët që përdoren për lëvizjen e drogës dhe pastrimin e parave përmes kriptovalutave.

Në njëkohësi, SPAK ka përmendur dhe fakte që lidhen me aktivitete të tjera kriminale, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përdorimin e metodave të avancuara të hetimit për të çuar përpara drejtësinë kundër grupeve kriminale shqiptare.