SPAK zbardh akuzën ndaj avokatit Bardh Koçi: I kërkoi 4000 euro një shtetaseje për të ndikuar te gjyqtari

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur detaje mbi akuzën ndaj avokatit Bardh Koçi, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Sipas hetimeve, Koçi, në kohën kur ushtronte detyrën si auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), ka kërkuar nga një shtetase me iniciale P.M. shumën prej 4000 eurosh për të ndikuar në vendimmarrjen e një gjyqtari në favor të saj. Deri më tani ai kishte marrë 1000 euro nga kjo shumë.

Shtetasja P.M. në atë kohë po gjykohej në Gjykatën e Tiranës për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”, dhe avokati dyshohet se i premtoi ndikim të paligjshëm në procesin e saj gjyqësor.

Në kuadër të hetimeve, policia ka kryer kontrolle në banesat e katër shtetasve, përfshirë një ekspert kriminalistik dhe një oficer të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Tiranës.

Vendimi i gjykatës:
• Bardh Koçi: Masë sigurie “arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (neni 245/1 i Kodit Penal).
• P.M.: Masë sigurie “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për të njëjtën vepër penale.

SPAK falënderoi Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në këtë operacion dhe vijon hetimet për të zbardhur të gjithë skemën e ndikimit të paligjshëm.