SPAK “tund pranga”, kërkon kodet e Matrix të kriminelëve shqiptarë

Pas sigurimit të të dhënave nga aplikacioni i koduar Sky ECC, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka nisur bashkëpunimin me autoritetet holandeze për të vënë në dispozicion edhe përgjimet e një tjetër platforme të koduar, të njohur si Matrix.

Në kuadër të disa hetimeve të rëndësishme për trafik ndërkombëtar droge dhe grupe të strukturuara kriminale, SPAK ka dërguar letërporosi zyrtare për të siguruar komunikimet e bëra nëpërmjet Matrix nga disa prej subjekteve të përfshira në këto dosje. Bëhet fjalë kryesisht për eksponentë të krimit të organizuar shqiptar, të dyshuar për përfshirje në trafik kokaine, pastrim parash dhe porositje atentatesh mafioze.

Gjithashtu, prokuroria shqiptare ka kërkuar që të vihen në dispozicion edhe vendimet ligjore që përcaktojnë vlefshmërinë dhe përdorshmërinë e të dhënave të siguruara nga aplikacioni Matrix, për t’i përfshirë ato si prova në proceset gjyqësore.

Platforma Matrix, e zbërthyer disa muaj më parë nga autoritetet ndërkombëtare, është konsideruar si një aplikacion i zhvilluar nga kriminelët për kriminelët. Ajo u përdor për komunikim të fshehtë nga rrjete kriminale në Evropë, përfshirë dhe shqiptarë, që vepronin në trafikun e drogës dhe krime të tjera të rënda. Matrix u zbulua fillimisht në telefonin e një të dënuari për vrasjen e gazetarit holandez në vitin 2021.

Të dhënat e siguruara nga Matrix, krahas atyre nga Sky ECC, pritet të jenë prova kyçe në disa prej çështjeve më të mëdha penale që po heton aktualisht SPAK.