SPAK regjistron procedim penal për Aeroportin e Vlorës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar zyrtarisht se ka nisur hetimet për kontratën koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një nga projektet strategjike të infrastrukturës ajrore në Shqipëri.

SPAK ka njoftuar se “ka regjistruar procedim penal në lidhje me kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës. Ky procedim është në fazën e hetimeve paraprake.”

Hetimi vjen dy muaj pas fluturimit të parë certifikues në aeroportin e ri, i cili pritet të jetë një “portë hyrëse” për jugun e Shqipërisë dhe një nyje e rëndësishme për turizmin dhe zhvillimin ekonomik rajonal.

Projekti është zhvilluar nga kompania “Mabco Constructions”, në pronësi të biznesmenit të njohur nga Kosova, Behgjet Pacolli, i cili zotëron 98% të aksioneve. Pjesa tjetër prej 2% i përket kompanisë shqiptare “2A Group SH.P.K.”.