SPAK reagon pas akuzave të Partisë së Lirisë: Leja për takimin e Belerit dhe Dules me Metën jepet nga Drejtoria e Burgjeve
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar pas akuzave të Partisë së Lirisë, e cila pretendoi se eurodeputeti Fredi Beleri dhe kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, u ndaluan të takonin Ilir Metën në burgun 313 në Tiranë.
Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi më herët në rrjetet sociale se SPAK ka “penguar dhunshëm” dy politikanët që të takonin Metën, duke e cilësuar këtë si një “shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut”.
Në përgjigje të këtyre akuzave, SPAK ka sqaruar se, sipas nenit 51 të ligjit nr.81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, deputetët kanë të drejtë të vizitojnë institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale pa pasur nevojë për autorizim nga Prokuroria. Megjithatë, miratimi i një vizite të tillë jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe jo nga SPAK.
Po ashtu, SPAK thekson se deri në orën 15:15 të datës 31 janar 2025, në protokollin e institucionit nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Fredi Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.