SPAK publikon strategjinë për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore
Task Forca e Posaçme do të monitorojë zgjedhjet e 11 majit
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar strategjinë e saj për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Në bazë të një urdhri të lëshuar më 24 janar 2025, SPAK ka miratuar një plan masash për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
MASAT KRYESORE
1. Ngritja e Task Forcës Hetimore
• Do të ketë një Strukturë Qendrore, e drejtuar nga kreu i SPAK, dhe grupe hetimore në terren të shtrira në 12 qarqe dhe 61 bashki.
• Në përbërje do të jenë prokurorë, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), hetues financiarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.
2. Monitorimi dhe Hetimi
• Fokus në abuzimet me administratën publike, përdorimin e infrastrukturës shtetërore dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
• Hetime të thelluara për parandalimin e korrupsionit zgjedhor.
3. Bashkëpunimi me Institucionet
• SPAK do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, Policinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
• Një hetues i BKH-së do të jetë përgjegjës për shkëmbimin e informacionit në kohë reale me KQZ-në.
4. Denoncimet dhe Roli i Publikut
• Do të krijohet një platformë e posaçme për denoncime, përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i.
• Një grup i veçantë do të monitorojë mediat dhe rrjetet sociale për raste të mundshme të krimeve zgjedhore.
5. Monitorimi Financiar
• Një ekip i specializuar do të hetojë përdorimin e buxhetit shtetëror dhe investimet publike gjatë fushatës, për të shmangur shkeljet ligjore.
KRIMET ZGJEDHORE NË JURIDIKSIONIN E SPAK
SPAK do të hetojë krimet zgjedhore të kryera nga zyrtarë të lartë dhe grupet e strukturuara kriminale, përfshirë:
• Korrupsionin aktiv dhe pasiv në zgjedhje (Nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal).
• Krimet zgjedhore të kryera nga organizata kriminale dhe grupe të strukturuara (Neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale).
• Përdorimin e administratës publike për përfitime elektorale.
SPAK fton qytetarët dhe institucionet të denoncojnë çdo rast abuzimi për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm dhe transparent.