SPAK merr zyrtarisht të pandehur Metën dhe Kryemadhin! Ish-presidenti: Mezi pres gjyqin
Sot, në orën 12:30, ish-kryetarja e LSI-së dhe deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku iu komunikuan zyrtarisht akuzat në lidhje me dosjen CEZ-DIA dhe lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurës dhe ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Në këtë dosje përfshihet edhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili prej 21 tetorit 2024 ndodhet në arrest me burg, pasi kërkesat e tij për lirim janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit. SPAK ka vendosur të zgjasë afatin e hetimeve për këtë çështje deri më 15 tetor 2025.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për tre vepra penale të rënda: korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë, pastrim të produkteve të veprës penale, si dhe fshehje ose deklarim të rremë të pasurive. Për më tepër, ndaj Kryemadhit është bërë edhe një kallëzim penal nga juristi Romeo Kara për shpifje dhe fyerje.
Pas daljes nga ambientet e SPAK, Kryemadhi nuk kurseu as ironitë. Ajo përmendi akuzën absurde për “heqjen e mitrës” në bashkëpunim me Ilir Metën dhe shtoi se “dosja është voluminoze, por fashikujt do të na jepen shpejt”. Ajo theksoi se është e gatshme për ballafaqim në gjykatë dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama si “prokurorin e vërtetë” të kësaj çështjeje.
Monika Kryemadhi: “Unë e kam fajin edhe për urdhër-arrestet që kanë ardhur nga Bari, që u vonuan 2 muaj. Sipas SPAK, për heqjen e mitrës, kam bashkëpunuar me Ilir Metën. Thanë që dosja është voluminoze. Do ballafaqohemi në gjykatë. Drejtësia e vërtetë është ajo hyjnore.”
Kryemadhi njoftoi edhe pjesëmarrjen në një film me titull “Me fat”, ku do të interpretojë një rol që, sipas saj, lidhet me historinë e një djali të ri që përballet me sfidat e jetës.
“Nuk jam vetëm artiste, por edhe organizatore,” tha ajo për kamerat.
Ajo mohoi gjithashtu që të jetë takuar me Ilir Metën gjatë seancës në SPAK, duke shpjeguar se Drejtoria e Burgjeve nuk kishte marrë masat për ta sjellë.
Ndërkohë, nga burgu ka reaguar edhe Ilir Meta, i cili tashmë është zyrtarisht i pandehur. Në një deklaratë me zë për mediat, ai ironizoi SPAK-un dhe shprehu vendosmërinë për të mos kërkuar asnjëherë mbylljen e çështjes, duke deklaruar se është i bindur se do ta fitojë këtë betejë ligjore.
“Askush nuk është paraqitur për të më shoqëruar për atje. Kam dhe hallin e avokatit tim që po humb kohen kot. Mezi po pres të shkoj, që në radhë të parë t’i uroj për 83 mandatet që i dhanë me taksforcën e tyre kundër opozitës.
Po njëkohësisht edhe me taksforcën e tyre për të mos vepruar kundër terroristëve elektoralë, Edi Ramës, në këmbim të mandatit që ata presin nga Edi Rama që të jenë të përhershëm. Këta nuk i kuptojnë krimet elektorale të Ramës, të inceneratorit.
Mezi po pres të jem në sallën e gjyqit, ku do jeni dhe ju, do ketë gazetarë ndërkombëtare dhe të shikoni ato shkrimet e Meros dhe ata të tjerët. Të shikojmë faktet, provat dhe çfarë është kjo organizatë të shërbim të Ramës.
Pjellë e një votimi antikushtetues me 69 vota të prokurorit të përgjithshëm. Mezi po pres, nuk do të ketë kurrë kërkesë nga Ilir Meta për mbylljen e procedurës. Ky do të jetë një proces që do të fitohet siç fitoj Presidenti Ilir Meta të gjitha proceset hetimore…”, u shpreh Meta.