SPAK merr të pandehur kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri! Ja për çfarë akuzohet

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë zyrtarisht të pandehur kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, në kuadër të hetimeve për abuzime me tenderat publikë. Myzyri do të paraqitet më 30 qershor në ambientet e SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij, për t’u marrë në pyetje si i pandehur.

Kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike akuzohet për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet e SPAK lidhen me procedurat e zhvilluara gjatë viteve 2020-2023. Organi i akuzës ka dyshime të forta se një pjesë e konsiderueshme e tenderave janë zhvilluar pa garë reale, pasi në shumë raste ka marrë pjesë vetëm një kompani, ndërsa në raste të tjera ofertuesit janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë.

SPAK ka urdhëruar më herët sekuestrimin e një sërë procedurave të dyshimta, ndërkohë që edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përfundim të një auditimi, ka konstatuar se dëmi ekonomik i shkaktuar nga këto abuzime arrin shifrën alarmante të 2 miliardë e 550 milionë eurove.