SPAK merr të pandehur deputetin e PS-së, Jyrgis Çyrbja akuzohet për shpërdorim detyre kur ishte në krye të Hipotekës

Prokuroria e Posaçme merr të pandehur deputetin e PS-së, Jyrgis Çyrbja. Deputeti socialist që la mandatin më 9 tetor akuzohet për  ‘shpërdorim detyre’ lidhur me kallëzimin e bërë nga deputeti i PD-së Edi Paloka për zgjedhjet e vitit 2021, gjatë kohës kur drejtonte Hipotekën e Durrësit opozita e akuzonte se shpërndau leje legalizimesh me qëllime elektorale, informon gazetarja e Report Tv dhe Shqiptarja.com, Keti Banushi.

Bëhet fjalë për një vepër penale të kryer në 2016. Gjatë kohës që Çyrbja drejtonte Hipotekën e Durrësit, ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, pasi dyshohej se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për të përfituar prona në Durrës.

Kjo ishte arsye për të cilën Lulzim Basha, e kishte etiketuar deputetin disa herë si bashkëpunëtor të krimit. Edhe këtë të enjte, ishte Basha ai që reagoi i pari mes opozitarëve.

“Edi Rama nuk mund të lajë duart vetëm duke detyruar deputetë e ministra të largohen nga funksionet kur u tunden prangat. Ai duhet të mbajë përgjegjesi pse e ka zhytur vendin në korrupsion dhe ka veshur krimin me pushtet”, tha Basha dje.

Brenda 3 ditësh lë mandatin dhe merret i pandehur

Ditë intensive këto për deputetin e PS-së Jurgis Çyrbja, i cili brenda 3 ditësh u paraqitet dy herë në SPAK, pasi u thirr nga prokurorët specialë.  Shqiptarja.com dhe Report Tv sjell videon e momentit kur Çyrbja u paraqit në SPAK në orën 10:00 të paradites së sotme së bashku me avokatin e tij.

Nuk kam asgjë për të thënë. Drejtohuni SPAK-ut’ ka thënë ai për gazetarët pasi doli nga SPAK 30 minuta më pas. Më datë 8 tetor, Çyrbja u pyet për 5 orë në SPAK për një kallëzim të Partisë Demokratike. Burime i thanë Shqiptarja.com se ligjvënësi i PS u pyet për një kallëzim të Edi Palokës

Ndërkohë më 9 tetor dorëzoi dhe mandatin e deputetit të PS-së.

Për Report Tv, Çyrbja mohon që dorëzimi i mandatit të ketë lidhje me thirrjen në SPAK. Në një reagim për gazetaren Esiona Konomi, Çyrbja thotë se nuk ka asnjë shqetësim të natyrës ligjore, por ka nevojë të kujdeset për shëndetin.

“Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore. Dorëheqja nuk lidhet me thirrjen në SPAK. Ishte një vendim që e mora në vlerësim të situatës sime personale”, tha ai dje për Report Tv.

Çyrbja po mbyllte mandatin e dytë si deputet. Ai u zgjodh për herë të parë si ligjvënës në radhët e PS në vitin 2017. Ndërkohë, në vitin 2021 ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës me 6583 vota. Vendin e tij në Kuvend, pritet ta zërë Erjon Meka, i cili në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 mori 2228 vota.