SPAK merr dëshminë e 4 zyrtarëve të policisë/ Pse vizituan në qeli Roven Zekën? U sekuestruan celularët pas verifikimit të kamerave të sigurisë
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka thelluar hetimet në lidhje me arrestimin e shefit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Roven Zeka, duke marrë në pyetje katër zyrtarë të tjerë të policisë që rezulton se e kanë vizituar atë gjatë kohës që ndodhej i izoluar në Bllokun e Sigurisë.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se pas sekuestrimit dhe analizës së pamjeve nga kamerat e sigurisë, u konstatua prania e katër efektivëve në ambientet e paraburgimit. Hetuesit e BKH-së i kanë thirrur menjëherë për të dhënë shpjegime mbi arsyet e këtyre vizitave, të cilat janë konsideruar të dyshimta, pasi nuk lejohen kontakte me persona nën hetim pa autorizim të posaçëm.
Të paktën tre nga zyrtarët e pyetur janë në fokus të hetimeve për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, ndërsa celularët e tyre janë sekuestruar dhe po analizohen nga ekspertët për të zbuluar komunikime që mund të kenë lidhje me ndërhyrje të mundshme në favor të Roven Zekës.
Në të njëjtën dosje, SPAK ka sekuestruar edhe celularin e një biznesmeni të njohur, për të cilin dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës mes Zekës dhe një tjetër sipërmarrësi, i cili akuzohet se ka ofruar ryshfet për të shmangur arrestimin e gruas së tij, të përfshirë në një aksident rrugor ku mbetën të plagosur pesë persona.