SPAK me letër-porosi nga Belgjika ‘zbarkon’ në Berat/ Arrestohet 33-vjeçari, ja çfarë gjeti policia

Autoritetet belge me një letërporosi dhe në bashkëpunim me SPAK-un, kryen kontrolle në 4 ambiente në Berat.

Policia gjeti në banesën e një 33-vjeçari, dokumente false, elektroshok dhe fishekë arme gjahu të cilat janë sekuestruar, ndërsa 33-vjeçari që i posedonte ka rënë në pranga.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në 4 ambiente, në bashkëpunim me SPAK-un, me BKH-në dhe me Prokurorinë e Beratit, në zbatim të një letërporosie të autoriteteve belge, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Berat arrestuan në flagrancë shtetasin H. V., 33 vjeç.

Në banesën e këtij shtetasi, në lagjen “28 Nëntori”, u gjetën 1 kartë identiteti dhe 1 leje drejtimi për automjet, të dyshuara false, si dhe 1 elektroshok dhe disa fishekë arme gjahu.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.