SPAK mbyll hetimet për dy grupet kriminale, 27 të pandehur shkojnë në gjyq! 1.1 milion euro të sekuestruara

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për 27 të pandehur, të cilët janë pjesë e dy grupeve të strukturuara kriminale që vepronin në fushën e emigracionit të paligjshëm dhe falsifikimit të dokumenteve. Dosja për këtë procedim penal është dërguar tashmë për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas SPAK, grupet kriminale përbëheshin nga shtetas shqiptarë dhe të huaj që kanë ndihmuar mbi 650 shtetas të huaj, kryesisht nga Bangladeshi dhe Kameruni, të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shqiptar me qëllim për të hyrë në territorin e Bashkimit Evropian.

Emrat e të pandehurve përfshijnë: Endri Seiti, Luan Tafalla, Km Shaqiful Islam, Endrit Ismailaj, Alok Mittra, Arnol Shpata, Xhuljeta Çopa, Artur Mata, Antonio Specchio, Altin Hasani, Edmond Braha, Emmanuel Delphin Assako Ella, Arjel Hoxha, Orkid Pijaneci, Arba Hysenllari, Ermal Hoxha, Artan Sulaj, Luan Sulaj, Shkëlzen Matmuja (Bokciu), Faik Matmuja, Bukurosh Muja, Lulzim Lami, Tome Preka, Xhuljo Krasniqi, Edmond Baklli, Iglan Alliçi dhe Arben Domi.

Akte të falsifikuara dhe korrupsion në polici

Hetimet zbuluan se grupet kriminale rekrutonin persona të huaj përmes agjencive në Dubai dhe Kamerun, dhe më pas organizonin hyrjen e tyre në Shqipëri përmes vizave të kategorisë “D”, duke përdorur kontrata fiktive pune dhe dokumente të falsifikuara, të tilla si: kontrata qiraje, ftesa punësimi, certifikata profesionale dhe të gjuhëve të huaja.

Grupet kishin edhe bashkëpunëtorë brenda Drejtoria e Përgjithshme dhe Vendore e Policisë Kufitare, të cilët ndihmonin në këshillimin dhe pajisjen me dokumentet përkatëse.

Pasi mbërrinin në Shqipëri, emigrantët strehoheshin në hotele apo ambiente të përkohshme dhe më pas transportoheshin ilegalisht drejt vendeve të BE-së përmes rrugës ballkanike, përkatësisht Shqipëri–Kosovë–Serbi dhe më tej.

Pagesa dhe pasuri të sekuestruara

Çdo emigrant nga Bangladeshi paguante nga 6 mijë deri në 8 mijë euro, që transferoheshin nga Dubai në Shqipëri nëpërmjet sistemit informal financiar “Hawala”. Nga kontrollet në banesa u sekuestruan:

  • 700,000 dollarë amerikanë
  • 400,000 euro
  • 4,000 paund britanikë
  • 520,000 lekë

SPAK ka ngritur ndaj të pandehurve akuzat për:

  • Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve
  • Falsifikim dokumentesh
  • Grupi i strukturuar kriminal
  • Kryerje e veprave penale nga organizatë kriminale
  • Korrupsion aktiv ndaj personave me funksione publike

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se kjo veprimtari ka funksionuar edhe në vitin 2022 dhe përfshinte dhjetëra subjekte tregtare në Shqipëri që deklaronin fiktivisht punësimin e të huajve për të lehtësuar pajisjen e tyre me viza.

Dosja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.