Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka nisur komunikimin e akuzave për anëtarët e shtatë grupeve kriminale të goditura në kuadër të operacionit “Revanshi”. Pas kësaj faze, SPAK do t’i drejtohet gjykatës për seancën paraprake.
Hetimet kanë zbuluar se këto grupe, të përbëra nga individë me rekorde kriminale, kishin edhe zyrtarë të lartë policorë si drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, dhe persona të lidhur me politikën si ish-deputeti Arben Ndoka dhe vëllai i deputetit Eduard Ndreca, Armando Ndreca.
Grupet kriminale vepronin në zona të ndryshme, përfshirë Lezhë, Durrës, Krujë, Tiranë, Vlorë dhe Burrel. Në kuadër të operacionit të ndërmarrë në maj 2024, u arrestuan gjithsej 20 persona, 14 prej të cilëve në Shqipëri dhe 6 jashtë saj (në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë).
SPAK ka goditur grupin kriminal të Ervis Martinajt, që vepronte në aleancë me grupin e drejtuar nga Arben Ndoka dhe me grupin kriminal të Avdylajve në Durrës. Ata rekrutonin vrasës me pagesë që operonin në Fushë-Krujë dhe Burrel. Po ashtu, janë evidentuar lidhje me Emiljano Shullazhin, i cili ndodhet në burg për realizimin e vrasjes së Durim Bamit.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Henerigert Mitri, është akuzuar për organizimin e lojrave të fatit dhe mbështetje ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, i arrestuar gjithashtu në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Së bashku me Shefin e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, Klodjan Shahini, Mitri drejtonte kultivimin e kanabisit.
Në kuadër të këtij operacioni, SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë të përgjithshme mbi 4.5 milionë euro, përfshirë 3 milionë euro në cash, valixhe me florinj dhe ora luksoze.
Grupet kriminale të shkatërruara:
• Ervis Martinaj – Fushë-Kuqe
• Arben Ndoka – Lezhë
• Emiljano Shullazi – Durrës
• Astrit Avdulaj – Durrës
• Durim Bami – Fushë-Krujë
• Duka-Hyseni – Tiranë dhe Vlorë
• Edison Reçi – Rrëshen