SPAK mbyll hetimet, çon në gjyq mjekun Edvin Prifti

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.242, të vitit 2020, me të pandehur shtetasin Edvin Prifti, me detyrë mjek kardio-kirurg, pranë Shërbimit të Kardiokirurgjisë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, i akuzuar për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, në 7 (shtatë) raste, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 180 dhe 287 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar, se i pandehuri Edvin Prifti, me detyrë Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.