SPAK konfiskon pasuritë e përfituara nga krimi/ Anëtari i bandës së trafikut ndërkombëtar, Eridan Veliu, në përgjime të Sky ECC

Prokuroria e Posaçme e Akuzës për Krime të Rënda (SPAK) ka kërkuar konfiskimin e pasurive të sekuestruara të një grupi kriminal të trafikut të lëndëve narkotike. Pas hetimeve intensive, është bërë e mundur zbardhja e emrave të anëtarëve të bandës, që përfshijnë Eridan Veliun, Sokol Çamer, Julian Veliu, Deljana Nebiu dhe Leknos Nebiu. Të gjithë këta janë akuzuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave të përfituara nga krimi.

Emri i Eridan Veliut është përmendur në përgjimet e Sky ECC në Belgjikë, ku u gjykuan 124 persona në lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike. Ai është pjesë e një rrjeti të gjerë të trafikut të drogës, i cili është aktiv prej disa vitesh. Veliu është i njohur për rolin e tij të udhëheqës në këtë aktivitet kriminal, ndërkohë që hetimet e bëra nga policia belge, në bashkëpunim me autoritetet e Italisë dhe Gjermanisë, kanë çmontuar një grup të strukturuar që merrej me trafikun e kokainës dhe marijuanës.

Hetimi është bazuar në dekriptimin e mesazheve të koduara të përdorura nga trafikantët përmes platformave të njohura, “Encrochat” dhe “Sky ECC”. Droga transportohej kryesisht nga Amerika e Jugut dhe Maroku, përmes portit belg të Antwerp, dhe më pas shpërndahej nëpër Evropë, përmes porteve të Roterdamit, Hamburgut dhe Le Havre. Prokuroria ka arritur të zbardhë aktivitetin kriminal të bandës dhe ka identifikuar lidhje të paligjshme tregtare që janë zhvilluar që nga viti 2017.