SPAK kërkon rikthimin në “arrest shtëpie” për Sali Berishën

Spak ankimon në gjykatën e posaçme të apelit vendimin e shkallës së parë që revokoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Sali Berishën. 

SPAK ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën në Apelin e GJKKO ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Posaçme për lirimin e Berishës nga masa arrest në shtëpi.

Dy prokurorët që po hetuan aferën ‘Partizani’ janë Arben Kraja dhe Enkeleda Minollai, të cilët tashmë dosjen e kanë kaluar për gjykim në GJKKO. Seanca paraprake, nëse do të kalojë ose jo për gjykim po zhvillohet sot me gjyqtaren Flojera Davidhi, po e njëjta që i hoqi Berishës masën arrest në shtëpi më 27 nëntor.

SPAK e akuzon ish-kryeministrin Berisha se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.

Dosja ‘Partizani’ është ndarë me fraksione nga SPAK që po vijon hetimet për pasurinë e familjes së ish-kryeministrit ‘non grata’ Sali Berisha dhe përfitimet që mund të kenë familjarët e tij.