“SPAK ka ndërmarrë arrestime dhe sekuestrime pasurish të ish-zyrtarëve të lartë”,raporti i DASH: Të zbatohet Reforma në Drejtësi, të luftohet korrupsioni

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar një raport mbi Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve, ku thekson nevojën për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri.

Sipas raportit, SPAK ka ndërmarrë veprime konkrete në vitin 2023, duke përfshirë arrestimet dhe sekuestrimin e pasurive të ish-zyrtarëve të lartë.

“Në vitin 2023, SPAK ndërmori veprime që përfshinin arrestimet dhe sekuestrimin e pasurive të ish-zyrtarëve të lartë. Në tetor, SPAK njoftoi një hetim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Po ashtu, u arrestua dhëndri i tij për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa pasuritë e tij u sekuestruan. Ndërkohë, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u dënua për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi kishte përfituar 1.47 milionë dollarë për punë të pakryera.” – thuhet në raport.

Gjithashtu, raporti thekson se Shqipëria duhet të rrisë hetimet dhe paditë për pastrim parash, duke e cilësuar si një problem ende të pranishëm. DASH rekomandon përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e kapaciteteve të policisë dhe prokurorisë, si dhe integrimin e plotë të SPAK në përpjekjet kundër pastrimit të parave.

Pavarësisht hetimeve të shumta, raporti vëren se ndjekjet penale për pastrim parash mbeten të ulëta dhe se Shqipëria duhet të zbatojë me përpikëri ligjet ekzistuese dhe udhëzimet rregullatore.