SPAK: Goditëm skemën e kontrabandës së cigareve, 36 masa për biznesmenë dhe doganierë

SPAK ka ndërmarrë një tjetër operacion këtë të mërkurë ku janë ekzekutuar disa masa sigurimi për një hetim në lidhje me një skemë të sofistikuar të kontrabandës së cigareve.

Në një njoftim zyrtar SPAK thotë se në këtë skemë janë përfshirë shtetas shqiptarë dhe të huaj, si edhe punonjës të strukturave doganore ndërsa dyshimet e prokurorëve janë se personat kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK në më shumë se 30 (tridhjetë) raste është ndryshuar destinacioni dhe më pas ngarkesa e destinuar për firmën porositëse është shkarkuar në territorin shqiptar, me qëllim kontrabandimin në vendet fqinje, pa paguar detyrimet doganore.

Po ashtu SPAK thotë se prodhimi i paketave të cigareve pa pullë fiskale, nuk ka mundësuar vjeljen e detyrimeve doganore nga vendi ku janë destinuar për tu shitur duke sjellë shkeljen e ligjit të akcizës.

Në njoftimi ne SPAK thuhet se këto veprime i kanë bërë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit në vlerën e 366.034.451,000 lekë dhe vendeve të BE-së në një rast në vlerën 2,802,159,90 euro nëse kontrabandimi do të ishte i suksesshëm, dhe në katër raste të tjera e kanë arritur qëllimin duke i humbur BE-së vlerën e taksuar në përafërsisht 10.000.000 Euro.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), janë lëshuar gjithsej 36 masa sigurie, përfshirë 15 masa “arrest me burg”, 20 masa “detyrim për t’u paraqitur” dhe 1 masë “arrest në shtëpi”.

Nga këto, masa e sigurisë “arrest me burg” është ekzekutuar për 5 nga 15 personat nën hetim, ndërsa masat “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” janë zbatuar për 15 nga 20 të hetuarit.

Masat e sigurmit të vendosura nga GJKKO në vendimin nr. 48 datë 27.05.2025 pas kërkesës së SPAK

Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personave nën hetim; I.J, (pronar i fabrikës), D.J (administrator i fabrikës), S.D (shtetas i Maqedonisë së Veriut), L.Q (shtetas kosovar si dhe me shtetësi të Mbretërisë së Bashkuar), Z.S (shtetas serb) dhe M.B (shtetas serb), të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 172, pika 3 e 28/4 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit nën hetim N. G i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 172 pika 3 e 28/4 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personave nën hetim punonjës të doganave I.H, K.G, I.C, A.T, M.N, G.T, G.S, E.SH dhe I.K, si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 175 e 28/4 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit nën hetim M.D (punonjëse e doganave), e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 175 e 28/4 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj personave nën hetim (punonjës të doganave); E.H, Y.K, B.R, I.Ç, I.M, A.S, Y.S, L.Ç, I.Z, F.Z, G.D, N.S, L.M, D.P, B.Z, A.N, V.G, SH.L dhe L.D, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, i parashikuar nga neni 175 i Kodit Penal.

Ndërkohë masa e sigurisë ”Arrest me burg” është ekzekutuar për 5 nga 15 shtetasit në hetim, ndërsa masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” është ekzekutuar për 15 nga 20 shtetasit nën hetim.