SPAK godet skemën e kontrabandës së cigareve, të përfshirë biznesmenë e doganierë
Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka çuar në zbardhjen e një skeme të mirëorganizuar të kontrabandës së cigareve, ku janë të përfshirë zyrtarë doganorë, biznesmenë dhe shtetas të huaj.
Sipas të dhënave janë lëshuar 15 urdhër-arreste, një pjesë e të cilëve janë ekzekutuar tashmë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet e tjera ligjzbatuese. Po ashtu, janë firmosur 21 urdhra ndalimi për dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, me qëllim parandalimin e arratisjes së personave që janë nën hetim.
Hetimet e SPAK dyshojnë se të përfshirët kanë krijuar një rrjet të strukturuar për importin dhe shpërndarjen e paligjshme të cigareve në vend, duke shmangur detyrimet doganore dhe duke i shkaktuar dëm të madh financave publike.
Në këtë skemë janë identifikuar individë me pozita të rëndësishme në sistemin doganor, pronarë dhe administratorë biznesesh që operojnë në fushën e tregtisë së produkteve të duhanit, si dhe shtetas të huaj që kanë luajtur rol në rrugët ndërkombëtare të furnizimit dhe shpërndarjes.
Hetimet vijojnë në mënyrë intensive dhe nuk përjashtohet lëshimi i urdhrave të tjerë arresti në ditët në vijim.