SPAK godet grupin kriminal, masa arresti edhe për zyrtarë shtetërorë! Sekuestrohet televizioni, restorante dhe biznese në disa qytete
Prokurori Vladimir Mara ka dhënë sot detaje të zgjeruara në lidhje me operacionin ndërkombëtar të koduar “URA”, ku u godit një prej grupeve më të fuqishme kriminale në Shqipëri të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave.
Në një konferencë për mediat, prokurori deklaroi se janë ekzekutuar gjithsej 40 masa sigurie në Shqipëri si pjesë e 52 urdhrave të lëshuara në të dy shtetet, Shqipëri dhe Itali. Sipas tij, hetimet kanë dokumentuar jo vetëm aktivitetin kriminal në trafikun e drogës, por edhe vepra të korrupsionit zyrtar.
“Atëherë, ditën e sotme janë ekzekutuar masat e sigurimit për 52 persona në Shqipëri dhe Itali. Janë ekzekutuar 40 masa sigurimi. Janë evidentuar përveç episodeve të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëtarëve të grupeve të strukturuara kriminale, janë dokumentuar edhe vepra korruptive në Shqipëri. Kemi masa sigurimi të vendosura nga GJKKO për korrupsion ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe një avokati. Gjithashtu janë ekzekutuar vendime të gjykatës lidhur me sekuestrimin e pasurive që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal,” – u shpreh Mara.
Ai bëri me dije se gjatë hetimeve janë sekuestruar një sërë pasurish të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, konkretisht:
-3 restorante në Durrës
-1 bar-kafe
-6 shoqëri tregtare
-1 televizion në qytetin e Vlorës
Po ashtu, autoritetet kanë sekuestruar 3 milionë euro në para kesh, që dyshohet të jenë të ardhura të këtij grupi kriminal dhe tashmë janë nën hetim në kuadër të procedimit penal të ngritur nga SPAK.
Operacioni “URA”, zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane, Eurojust, Europol dhe Interpol, ka shënjestruar një rrjet të sofistikuar kriminal që ka vepruar ndër vite mes Ballkanit, Italisë dhe Amerikës Latine, duke trafikuar sasi të mëdha droge dhe duke përfshirë në skemat e tij edhe elementë të botës së biznesit dhe zyrtarë publikë në Shqipëri.
View this post on Instagram